Duke parë rëndësinë e lirisë së shtypit, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 1993, shpalli 3 Majin si “Ditë Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit”.
Me rastin e kësaj dite, Radio KFOR-i kontaktoi Prodekanin e Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë, në Kolegjin AAB, Prof. Ass. Dr. Gazmend Abrashi, i cili theksoi: “Shënimi i kësaj dite, na kujton rrugën në të cilën kaluan mediat deri në ditët tona, pra gjithë procesin e transformimeve. Gjithashtu na kujton se sa është e rëndësishme liria e shtypit/mediave për vetë shoqërinë dhe shërben si rikujtues i mirë për të gjitha institucionet që respektimi dhe krijimi i ambientit të lirë dhe demokratik, është e drejtë universale dhe se duhen respektuar parimet themelore të lirisë së shtypit. Shënimi i kësaj dite na shërben për ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e lirisë së mendimit, fjalës dhe kritikës.”
Tema globale e këtij viti dedikuar ditë së sotme, është “Informacioni si një e mirë publike”, e cila shërben si një thirrje për të pohuar rëndësinë e vlerësimit të informacionit si një e mirë publike, duke njohur ndryshimin e sistemit të komunikimit që po ndikon në shëndetin tonë, të drejtat tona dhe zhvillimin e qëndrueshëm.