Dhuna në familje, po vazhdon që të jetë një fenomen me të cilin përballet e tërë shoqëria globale. Edhe në Kosovë, dhuna në familje vazhdon të jetë një fenomen shqetësues. Për të kuptuar statistikat e dhunës në familje përgjatë tre mujorit të parë të vitit 2021, Radio KFOR-i ka intervistuar zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Daut Hoxha: “Masat dhe përkushtimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës me mekanizmat tjerë institucionalë në parandalimin e dukurisë së rasteve me elemente të dhunës në familje, reflekton qasjen pro aktive dhe të sensibilizimit të shoqërisë. Në tre mujorin e parë të këtij viti (2021), janë evidentuar 485 raste të dhunës në familje, me gjithsej 489 viktima, nga to 390 viktima femra dhe 99 viktima të gjinisë mashkullore. Trajtimi i rasteve me prioritet nga ana e Policisë së Kosovës, bashkëpunimi i qytetarëve me policinë dhe sensibilizimi i qytetarëve, ka ndikuar në ngritjen e raportimit të rasteve ndër vite. Andaj referuar rasteve të shpeshta ndër vite si dhe në veçanti referuar situatës dhe rrethanave pandemike që aktualisht ndodhemi, ku evident është qëndrimi i qytetareve në shtëpi, Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të mos shfaqin dhunë ndaj askujt, por të jenë tolerant dhe mirëkuptues me njëri-tjetrin.”
Policia e Kosovës rastet e dhunës në familje i trajton me prioritet dhe bënë apel për të gjithë personat që, nëse janë pre e dhunës në familje ose çfarëdo lloj dhune tjetër, t`i raportojnë këto raste përmes numrave të telefonit (pa pagesë) në: 192 dhe 080019999 apo edhe në stacionin më të afërt policor.