Në këtë kohë të mundësive të shumta që ofron teknologjia, blogjet janë trendet më të famshme kryesisht nga të rinjtë, të cilët ndajnë shkathtësi, momente, ide dhe pjesë të ditës së tyre me njerëz nga e gjithë bota. Blogerja, Ida Fetiu nga Prishtina, tash e disa vite ka krijuar faqen e saj ‘Shpejt dhe Shijshëm’, duke ndarë çdo ditë receta të ndryshme të ushqimeve për ndjekësit e saj në Instagram, ku numëron mbi 12 mijë ndjekës.
Znj. Ida, në një bisedë me Radio KFOR-in, tregoi për punën e saj të cilën ajo e bën me admirim dhe foli për rolin e blogut tek shoqëria jonë: “Blogu kërkon shumë përkushtim dhe punë që të ketë rezultat në produktin final, që në këtë rast është postimi në rrjete sociale. Është e njëjtë sikurse çdo punë tjetër. Mendoj që rrjetet sociale në përgjithësi dhe blogjet si pjesë e tyre, kanë rol shumë të rëndësishëm në shoqërinë tonë dhe në rininë. Andaj është shumë e rëndësishme që ne si blogerë, të kemi kujdes në postimet tona, që të jenë sa më reale dhe motivuese për brezin e ri.”
Ida për fund ndau një mesazh për dëgjuesit e Radio KFOR-it, që të besojnë dhe të ndjekin ëndrrat e tyre: “Në jetë duhet t’i caktojmë objektiva vetes dhe këto objektiva duhet orientuar drejt zhvillimit dhe kultivimit të ambicieve të shëndosha.”