Qendra e Përbashkët për Hulumtim e Komisionit Evropian deklaron se ndotja e ajrit në Ballkanin Perëndimor, shkurton jetëgjatësinë mesatarisht ndërmjet 0.4 dhe 1.3 vjet. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, cilësia e dobët e ajrit në rajon shkakton deri në 13,500 vdekje çdo vit. Për të vepruar në këtë drejtim Fondi Evropian, nën implementimin e organizatave lokale në Ballkanin Perëndimor kanë lansuar kampanjën ‘Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër’. Sipas komunikatës për media nga organizata jo-qeveritare ‘Sbunker’ në Kosovë, që është pjesë e kësaj kampanje, thuhet se qëllimi është të ngritin vetëdijen qytetare për të përmirësuar cilësinë e ajrit: “Kampanja ‘Ballkani i Bashkuar për Ajër të Pastër’, u bën thirrje qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor të bashkohen, në mënyrë që të përmirësojmë së bashku cilësinë e ajrit dhe të ndihmojnë në zgjatjen e jetës së të gjithëve.”
Organizatorët e kampanjës kërkojnë që ulja e ndotjes së ajrit të përcaktohet si një prioritet kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar dhe të integrohet në të gjitha proceset e planifikimit. Po ashtu, bëhet thirrje për kontrollin e ndotjes së ajrit dhe të vendosen sisteme për të monitoruar ndotjen dhe efektet e saj në shëndetin publik. Kampanja do të vazhdoj deri në muajin mars të këtij viti.