Interneti është një oqean, e sjell botën më pranë, aty informohemi për të gjitha fushat e jetës, është urë lidhëse për njerëzit nga një skaj i botës në tjetrin. Me gjitha të mirat që ka interneti, studime të shumta kanë treguar se varësia ndaj tij, numëron shumë efekte negative. Për inxhinierin softuerik, Endrit Toplica, interneti ka qenë baza e profesionit të tij dhe vendi që strehon diturinë e gjithë njerëzimit, andaj përmes frekuencave të Radio KFOR-it, ai ka bërë thirrje që të gjithë ta shfrytëzojmë këtë mjet komunikimi, në mënyrë sa më të drejtë dhe ta kthejmë atë në një ‘varësi’ të shëndoshë: “Në këtë botë teknologjike, çdo herë e më shumë po kemi njerëz të varur nga interneti. Nuk na kalojnë as 10 minuta, të paktën pa i kontrollu një herë rrjetet sociale dhe kjo tregon për varësi në internet. Konsideroj që rrjetet sociale janë fusha ku njerëzit janë më shumë të varur ose serialet që ndjekin online apo edhe filma. Sa i përket varësisë në internet, në terma të përgjithshëm, studimet po tregojmë më shumë anë negative sepse asnjërin nuk e sheh duke postuar gjëra të mërzitshme, janë postime gëzime, kjo nuk do të kishte asgjë të keqe nëse gjithçka do të ishte reale, e dikush që ndoshta është duke kaluar një moment të vështirë, mundet me u dëmtu psikologjikisht, duke menduar që të gjithë të tjerët janë duke kaluar mirë. Mirëpo, ne e dimë edhe faktin që shikimi i postimeve ‘të lumtutra të të tjerëve’, na bënë edhe me kopju jetën e këtyre personave e që në fakt ne nuk i dimë se si në të vërtetë këta persona janë duke u ndjerë në realitet.”
Sa i përket asaj se si mund ta mundim ne varësinë ndaj internetit, z. Toplica, tha se rekreacionet në natyrë mund të jenë zgjidhje ideale për të tejkaluar varësinë nga interneti.