Galeria Kombëtare e Kosovës ka njoftuar për hapjen e ekspozitës personale të artistit Valdrin Thaqi, të titulluar “Shtëpia Mbi Kodër”. Ekspozita do të hapet nesër me 30 prill, nga ora 19:00, në hapësirën e re ekspozuese të Galerisë Kombëtare në pikën te Qafa.
Kjo ekspozitë shënon fillimin e programit të ri të kësaj platforme, e cila synon të mbështesë artistët e rinj përmes ekspozitave eksperimentale dhe komisioneve të reja artistike.
Në këtë paraqitje të parë personale, Thaqi sjell një përmbledhje veprash të realizuara gjatë dy viteve të fundit, që ndërthurin pikturën dhe skulpturën. Ai eksploron temat e identitetit, ekzistencës dhe nocionit të “shtëpisë”, jo vetëm si hapësirë fizike, por edhe si përvojë emocionale dhe mendore.
“Shtëpia Mbi Kodër” mbetet një ftesë për reflektim të thellë mbi atë që e quajmë shtëpi dhe vetveten, përmes një qasjeje të ndjeshme dhe bashkëkohore.







