Në një shoqëri dinamike në të cilën po jetojmë e që po ndryshon vazhdimisht, të gjithë duhet të kujdesemi për të ruajtur vlerat dhe trashëgiminë tonë kulturore. Një pjesë e rëndësishme e kësaj trashëgimie, është roli dhe ndikimi i gjyshërve. Për këtë arsye ne sot (10.09.23), kremtojmë ‘Ditën e Gjyshërve’, e cila çdo vit nderon gjyshërit për rolin e tyre të rëndësishëm në formimin e identitetit tonë dhe në transmetimin e vlerave të cilat i mbartim ne si shoqëri.
Nëse kemi fatin të kemi gjyshërit në jetën tonë, duhet të marrim kohë për t’i vizituar dhe dëgjuar historitë e tyre, por edhe për të mësuar nga përvojat e tyre. Ata kanë jetuar në kohëra të ndryshme dhe kanë përjetuar ngjarje të shumta, që mund të na japin perspektivë për të kuptuar më mirë botën dhe për të zhvilluar një ndjenjë më të thellë të identitetit tonë.
Gjithashtu, ne duhet të ndihmojmë në ruajtjen e gjuhës dhe traditave të trashëguara nga gjyshërit tanë, sepse ata janë thesari ynë kulturor, që duhet të ruhet dhe të përhapet tek brezat e ri.