Përmbledhjen javore në teknologji, e fillojmë me të rejat nga kompania Apple, e cila më në fund ka publikuar datën zyrtare të lansimit të produkteve të reja. Është 12 shtatori, kur seria 15-të e iPhone-it do të lansohet bashkë me produktet e reja të Apple. Sipas të gjitha gjasave, çmimet e serisë së re të telefonave të Apple, pritet të variojnë nga 799 dollarë deri në 2.000 dollarë, varësisht nga performancat e telefonit. Çmimi prej 799 dollarëve, fillon me iPhone 15-shin e përfundon me rreth 2.000 dollarë për versionin 15 Pro Max, version me një hapësirë ruajtëse prej dy tera-bajtësh. Kur jemi tek telefonat e rinj, një koncept të veçantë ka lansuar edhe kompania Honor. Smartfoni me rrokullisje, i quajtur ‘Honor V Purse’, është telefon dhe çantë njëkohësisht. Megjithëse është vetëm një koncept për momentin, projekti ka disa elemente të botës reale që së shpejti do të bëhet realitet. ‘Honor V Purse’ është bërë nga materiale të qëndrueshme duke përfshirë lëkurën vegane për rripat. Qëllimi i konceptit është gjithashtu të inkurajojë industrinë e modës për të pranuar teknologjitë e reja “për të inkurajuar konsumatorët të blejnë më pak dhe të përdorin më gjatë”.
Nga inteligjenca artificiale, këtë javë veçojmë të rejat që vijnë nga The Guardian. E përditshmja britanike The Guardian, ka ndaluar përdorimin e përmbajtjes së ChatGPT, për gjenerimin e teksteve dhe prodhimeve tjera të inteligjencës artificiale. Portali i këtij mediumi britanik njofton se shqetësimi vjen me që OpenAI, i cili po përdor përmbajtje të pa-licencuar dhe kjo ka bërë që shkrimtarët të ngrenë padi kundër kompanive dhe industrive krijuese, që kërkojnë masa mbrojtëse për pronën e tyre intelektuale.