Fundi i pushimeve verore erdhi dhe nesër mijëra nxënës në Kosovë pritet t’u rikthehen bankave shkollore. Pas shumë javësh pushimi, udhëtimesh dhe argëtimi, është koha për t’iu kthyer gradualisht rutinës së përditshme.
Për një fillim të mbarë, përveç përgatitjes së çantës dhe mjeteve shkollore, rëndësi kanë edhe gjumi i rregullt, organizimi dhe një mëngjes i qetë. Ekspertët këshillojnë rikthimin gradual në orarin e gjumit, kufizimin e përdorimit të telefonit para gjumit dhe përgatitjen e gjërave që në mbrëmje.
Viti i ri shkollor sjell mundësi, shoqëri dhe sfida të reja. Nxënësit këshillohen të mos synojnë përsosmërinë që në ditët e para, por të vendosin objektiva dhe ta shohin çdo ditë si një mundësi për të mësuar e për t’u përmirësuar.
Nga ekipi i Radio KFOR-it, një urim i veçantë shkon për fëmijët parashkollorë dhe vogëlushët që këtë vit për herë të parë do të ulen në bankat e klasës së parë. Urojmë që hapat e tyre fillestar në rrugëtimin arsimor të jenë të mbushur me buzëqeshje, kureshtje, miqësi dhe shumë suksese!
Suksese pafund të gjithë nxënësve!







