Megjithëse është bërë më shumë se 1 vit, që prej shfaqjes së rasteve të para të të prekurve me virusin ‘Covid-19’ në Kosovë, gjendja e pandemisë po vazhdon të jetë gjithnjë e më e rënduar. Këtë e pohon për radio KFOR-in edhe infektologia në Klinikën Universitare të Kosovës, Dr. Njomza Geca, e cila që prej fillimit të pandemisë, është në vijën e parë të frontit me pacientët e prekur me virusin korona. Në një rrëfim për mediumin tonë, Dr. Njomëza, na informoi në lidhje me gjendjen aktuale sa i përket situatës pandemike: “Gjendja akoma vazhdon të jetë shqetësuese, çdo ditë e më shumë jemi dëshmitarë të shifrave alarmante të të infektuarve me virusin ‘Covid-19’ dhe kjo si pasojë e grumbullimeve të njerëzve në hapësira të mbyllura dhe mos respektimi i masave mbrojtëse. Është jashtëzakonisht kritike gjendja në spitalet tona, të cilat janë të stërmbushura me pacientë. Na ndihmoni pak, që ne të ju ndihmojmë shumë. Mbani maskën, distancën dhe higjienën personale”, porositi të gjithë Dr. Njomëza.
Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës lutë qytetarët gjithashtu, që të vendosin maska, të mbajnë higjienën dhe të respektojnë distancën fizike.