Gjatë 24 orëve të fundit, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës janë raportuar 4 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv si dhe janë shtuar 153 raste të reja me këtë virus.
Për më shumë informata, Radio KFOR-i kontaktoi pulmologun, Dr. Arbër Ismajli, i cili potencoi: “Për momentin kemi një normalizim, pra një qetësim të rasteve, d.m.th. kemi një ulje të konsiderueshme të numrit të të infektuarve krahasuar me ditët paraprake, mirëpo duhet të vazhdojmë t’i respektojmë rekomandimet e institutit. Në Qendrën Klinike Universitare kemi një numër të madh të rasteve të të infektuarve me CoViD-19, por edhe pacientë të cilët po i trajtojnë pasojat, komplikimet nga virusi.”
Dr. Ismajli pati edhe një porosi për të gjithë: “Derisa po vazhdon vaksinimi për CoViD-19, rekomandojmë që të gjithë të vaksinohen, përveç atyre që janë pozitiv. Ata duhet të presin derisa ta kalojnë virusin e pastaj të vaksinohen. Mos harroni që edhe pas vaksinimit duhet të keni kujdes, sepse trupit i duhen dy deri në tre javë, për të formuar antitrupa, për të qenë të mbrojtur nga virusi.”