Variantet e ndryshme të virusit Covid-19, tashmë kanë prekur pothuajse çdo vend të botës dhe si pasojë ka pasur edhe vdekje njerëzish në mbarë globin. Kosova në përballje me këtë virus, ka pasur po ashtu situata të rënda sa i përket infektimeve dhe vdekjeve, por që aktualisht situata është dukshëm më e mirë dhe stabile.
Infektologia, Dr. Hatixhe Gashi, nga Klinika Infektive në QKUK, në një intervistë për Radio KFOR-in, vlerësoi situatën me Covid-19 në Kosovë si stabile dhe ftoi të gjithë njerëzit që nuk janë vaksinuar ende, ta bëjnë këtë për të mbrojtur vetën dhe të tjerët: “Gjenda me Covid-19 në Kosovë mund të konsiderohet e qetë dhe stabile, sa i përket infektimeve dhe personave që kërkojnë mjekim intensiv. Megjithatë, ftoj të gjithë qytetarët që të tregohen të vëmendshëm duke respektuar masat anti-kovid edhe më tej, në mënyrë që të jenë të mbrojtur nga ky virus. Po ashtu, lajmi i mirë është që deri më tani, nuk kemi raste të personave të infektuar me variantin e ri Omicron. Mesazhi dhe apeli im është që të gjithë qytetarët të vaksinohen me vaksinat në dispozicion dhe po ashtu ata të cilët kanë marrë dy dozat e vaksinës, tashmë mund të marrin edhe dozën e tretë përforcuese.”
Institucionet relevante të shëndetësisë sërish bëjnë thirrje për respektim të masave mbrojtëse nga virusi CoViD-19, për mbajtje të distancës, maskës dhe higjienës.