Organizuar nga Help Kosovo në bashkëpunim me Organizatën Gjermane “Help – Hilfe zur Selbsthilfe” dhe Odën Ekonomike e Kosovës, në kuadër të promovimit dhe mbështetjes së prodhuesve vendor, për herë të parë në shëtitoren e Lumit Krena, më 11 qershor, nga ora 10:00-16:00, do të mbahet “Panairi Veror”.
Për qëllimin konkret të këtij Panairi, Radio KFOR-i kontaktoi zyrtarin e lartë në terren, Adem Sylejmanin, i cili theksoi: “Qëllimi i panairit është pjesë e promovimit dhe mbështetjes së vazhdueshme që ofrojmë për klientët tanë. Ky panair ka karakter promovues, meqenëse në të promovohen produktet vendore nga bizneset Artizanale, Rrobaqepësisë, Mjaltës, Djathit, Ajvarit, Flisë, Ëmbëlsirave etj”, tha z. Sylajmani. Për të arritur rezultat në rritjen e kapacitetit të prodhimit, organizatorët bëjnë thirrje që produktet vendore të konsumohen sa më shumë, meqenëse siç thonë ata, kjo është mënyra më e mirë e promovimit të produkteve tona.