Edicioni i radhës i platformës së artit bashkëkohor ‘Kaosi në Hijet e Bardha 2026’ sjell në fokus pasigurinë si një nga gjendjet që karakterizojnë përvojën bashkëkohore. Platforma, e themeluar në vitin 2013 nga Galeria Qahili në Prishtinë, këtë vit i fton artistët të hulumtojnë përmes veprave të tyre tensionin mes rendit dhe shpërbërjes, qartësisë dhe pasigurisë.
Thirrja është e hapur për artistë lokalë, rajonalë dhe ndërkombëtarë që punojnë në fusha të ndryshme të artit bashkëkohor, përfshirë pikturën, vizatimin, fotografinë, grafikën, ilustrimin, mediat e përziera dhe praktikat eksperimentale. Artistët mund të aplikojnë me nga dy vepra, ndërsa punimet duhet të jenë origjinale dhe të jenë në dispozicion gjatë periudhës së ekspozitës. Përveç pjesëmarrjes në ekspozitën kolektive, një prej artistëve të përzgjedhur do të ketë mundësinë për të realizuar një ekspozitë personale në kuadër të ciklit të ardhshëm të Galerisë Qahili.
Afati i fundit për aplikim është data 14 tetor, 2026. Për detajet e aplikimit dhe mënyrën e dorëzimit të materialeve, artistët mund të ndjekin njoftimet e Galerisë Qahili, në rrjetet sociale.







