Nesër, më 15 dhjetor, duke filluar nga ora 19:00, në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozita ‘Tripod’, nga artistët Fidan Bejtullahu, Cami Namani dhe Kushtrim Zeqiri.
“Ideja e ‘Tripodit’, si një “Tre-këmbësh” që mbanë një aparaturë shndërrohet në një trekëmbësh që mbanë, prodhon ose shfaq art, pra në mënyrë simbolike përfaqëson tre artistët përbërës të ekspozitës”, kështu tregoi për Radio KFOR-in, artisti Fidan Bejtullahu, i cili na njoftoi edhe me detaje të tjera të ekspozitës në fjalë: “Kjo ekspozitë vjen në një mënyrë shumë të veçantë, ku në përmbajtje sjellë shumë punë të tre artistëve si retrospektivë e po ashtu edhe punë të reja, por që vizualizohen me një format instalacioni sikurse një koleksion i modës, por që shndërrohet në një koleksion arti ‘Pranverë –Verë’. Shumë punë të artisteve mbesin në kujtesë apo arkiva të harruara, por ky format i instalimit tenton ta shfaqë të kaluarën dhe të tashmen si një proces linear nëpër të cilin kalojnë artistët gjatë prodhimit të veprave të tyre.”
Ekspozita ‘Tripod’, është kuruar nga Mehmet Behluli.