Filmi debutues i regjisores Arzana Kraja “Fusha e mëllenjave”, do të jetë filmi që do të bëjë hapjen zyrtare të edicionit të 11- të “PriFest”, më 16 korrik, në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Në mesin e shumë premierave nga e mbarë bota “Fusha e mëllenjave” do të shfaqet si projeksion special jashtë konkurrencës zyrtare, duke u shfaqur në dy salla njëkohësisht, me distancë kohore prej 45 minutash.
“Fusha e mëllenjave” është prodhim i vitit 2019 nga shtëpia “Circle Production”, producent i filmit është Besnik Krapi, regjisore dhe skenariste Arzana Kraja dhe në rolet kryesore janë: Shkumbin Istrefi, Astrit Kabashi, Melihate Qena, Abdinaser Beka, Ilire Vinca, Art Lokaj, Çun Lajçi, Xhevat Qorraj, Adem Karaga, Irena Cahani, Xhevdet Doda, Shengyl Ismajli, Ilir Prapashica. “PriFest” fillon me datën 16 korrik dhe hapja do të bëhet në dy hapësira në mënyrë të sinkronizuar. Çmimi i biletave për të parë filmat është 3€ dhe shitja e biletave do të menaxhohet nga “Rave Travel”, kurse për student dhe persona mbi moshën 65 vjeç, hyrja është gratis. Për më shumë informata lidhur me këtë festival të filmit, mund të kontaktoni adresën elektronike www.prifest.org.