Për çdo vit, organizatat në botë në muajin qershor, festojnë ‘Ditën e Krenarisë së Autizmit’, mirëpo edhe në Kosovë, sot (18.06.19) organizohet një aktivitet “Çiklizëm për Autizëm”. Qëllimi i kësaj dite nuk është vetëm vetëdijësimi por edhe pranimi dhe pavarësia e personave me autizëm.
Është ‘Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë’, të cilët organizojnë aktivitetin “Çiklizëm për autizëm”. Organizatorët theksojnë se nuk është një maratonë e as një garë por e dizajnuar si një aktivitet gjithëpërfshirës, me qëllim ngritjen e ndërgjegjësimit dhe pranimin er autizmit. Përveç çiklizmit, do të jetë edhe këndi i aktivitetit për fëmijët, prindërit e stafin, si një përformancë miqësore e autizmit. Aktiviteti mbahet më 18 qershor 2019, prej orës 13:00, në Parkun e Gërmisë. Ka kohë që asociacioni merret me këtë çështje dhe theksojnë se ekzistojnë ende disa sfida për personat me autizëm në Kosovë.
Në një prononcim për Radio KFOR-in, përfaqësues nga ‘Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë’ treguan se ‘Një ndër sfidat kryesore, është mungesa e një ekipe profesionale për vlerësimin dhe diagnostifikimin e fëmijëve me autizëm. Mungesa e një qendre kujdesi dhe aktiviteti për personat me autizëm mbi moshën 12 e tutje” , thuhet në përgjigjen e asociacionit për radio KFOR-in.
Zyrtarët në këtë asociacion, njoftuan gjithashtu se në Kosovë ende nuk ka statistika për numrin e saktë të fëmijëve me autizëm. Autizmi është një aftësi e kufizuar neurologjike e zhvillimit që ndikon në zhvillimin e trurit normal, pjesë e Çrregullimeve të Spektrit Autik. Autizmi pengon komunikimin, ndërveprimin shoqëror, njohjen dhe sjelljen.
Sot të paktën 1 në 88 vetë diagnostifikohen me autizëm, duke e bërë këtë të fundit më të shpeshtë se kanceri, diabeti dhe SIDA të marra së bashku.