Çdo të enjte të parë të muajit maj, shënohet ‘Dita Botërore e Fjalëkalimeve’ (World Password Day), një ditë ndërgjegjësimi për rëndësinë e sigurisë digjitale dhe përdorimin e fjalëkalimeve të forta. Këtë vit, kjo ditë i bie sot, më 1 maj dhe është një moment i mirë për të rishikuar mënyrën se si i mbrojmë të dhënat tona online.
Në një kohë kur sulmet kibernetike po shtohen, përdorimi i një fjalëkalimi të fortë dhe unik për çdo llogari është masa më e thjeshtë, por edhe më efektive për të shmangur rrezikun. Sipas ekspertëve të sigurisë, kombinimi i shkronjave të mëdha e të vogla, numrave, simboleve si dhe shmangia e emrave personal apo datave të lindjes, është kyç për një fjalëkalim të sigurt. A e dini se më shumë se 80% e shkeljeve të sigurisë globale lidhen me fjalëkalime të dobëta ose të vjedhura. Fjalëkalimet “123456”, “password” dhe “qwerty” mbesin ende ndër më të përdorura në botë, e që nuk duhet përdorur. Aktivizimi i verifikimit me dy hapa (2FA), shton ndjeshëm mbrojtjen e llogarive tuaja.
Në ‘Ditën Botërore të Fjalëkalimeve’, bëni një hap të vogël që mund të ketë ndikim të madh: ndryshoni fjalëkalimet e dobëta dhe aktivizoni autentikimin e dyfishtë. Mos harroni se një fjalëkalim i fortë, është mburoja e parë e jetës tuaj digjitale.







