“Arti u jep fëmijëve krahë për të fluturuar përtej së zakonshmes dhe një zë për të folur pa fjalë”, kjo është një nga qindra e mijëra thëniet që përkufizojnë artin dhe ndjesinë që falë ai. Edhe fëmijët e kopshtit të OJQ – së ‘The Ideas Partnership’, nga dita e djeshme 30 prill e deri më 4 maj, do të jenë artistë të muraleve. Këta fëmijë që vijnë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, do të mbështeten nga vullnetarë anglezë, të cilët do të qëndrojnë në Kosovë, përgjatë realizimit të këtij aktiviteti, e për detaje për Radio KFOR-in tregoi Përgjegjësja e Projekteve dhe Burimeve Njerëzore në OJQ ‘The Ideas Partnership’ znj. Mirlinda Gërguri: “Ky aktivitet ka filluar dje (30 prill), ku përgjatë tij do të krijohen murale me ngjyra. Ideja pas këtij aktiviteti qëndron tek fakti që kemi artistë vullnetarë po edhe mbështetës anglezë, që do vijnë në Kosovë, ku do të qëndrojnë deri me 4 maj. Qëllimi është që së bashku me fëmijët e kopshtit, të shprehim ndjesitë, përmes krijimeve artistike. Njëkohësisht diçka që ia shton vlerën edhe më shumë këtij aktiviteti, vullnetarët që vijnë nga Anglia, kanë mbështetur vajzat edhe gratë e komuniteteve rom, ashkali e egjiptian, në shkollimin e tyre dhe të njëjtat sot janë të angazhuara në kopsht dhe jashtë tij.”
Duke njohur vlerat që ka humanizmi znj. Gërguri, na ftoi të gjithëve që të vizitojmë aktivitetin: “Nëse dëshironi të përmbusheni shpirtërisht, duhet patjetër që të vinin të na vizitoni në këtë aktivitet 4 ditor. Duke u bërë pjesë e aktivitetit, të gjithë kontribuojmë në diçka që është shumë e vlefshme për komunitetet, përmirësojmë jetën e tyre dhe pasurojmë shpirtin tonë, pasi kështu, ndërtojmë një botë më të ndjeshme dhe më të bashkuar.”
OJQ – The Ideas Partnership, është themeluar në vitin 2009 dhe qysh atëherë ka filluar me realizimin e shumë projekteve dhe aktiviteteve në të mirë të të gjitha komuniteteve. Fuqizimi dhe mbështetja e atyre në nevojë në fushën e arsimit, shëndetësisë, mirëqenies dhe trashëgimisë kulturore, janë ndër misionet e kësaj organizate. Ndërkohë nga viti 2014, OJQ The Ideas Partnership, ka hapur kopshtin në të cilin shkojnë në baza ditore fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjipian. Misioni primar i kopshtit në fjalë, mbetet që të angazhojë fëmijët në shkollim dhe kundër idesë së braktisjes së shkollimit.








