E shënuar çdo vit me datën 1 maj, “Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve” nderon kontributet dhe lëvizjet e punëtorëve. Ndërsa shumica e vendeve shpallin një festë kombëtare dhe ngjarje kulturore, disa kombe e shënojnë atë ndryshe për shkak të konteksteve historike.
Data 1 Maj, ndër vite është kthyer në një simbol të fuqishëm të solidaritetit, drejtësisë sociale dhe luftës së vazhdueshme për të drejtat e punëtorëve. Është Organizata Ndërkombëtare e Punës e cila çdo vit përcakton tema të ndryshme që adresojnë sfidat bashkëkohore të vendit të punës, tema që mbeten kyçe edhe përgjatë 2025-ës, siç janë: ‘Drejtësi sociale dhe punë e denjë’, ‘Siguria dhe shëndeti i punëtorëve’, ‘Digjitalizimi dhe e ardhmja e punës’, ‘Barazia gjinore në punë’, etj. Sa i përket historikut “1 Maji” lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886. Ndërkohë, kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885, me këtë përmbajtje: “8 orë punë, 8 orë dëfrim dhe 8 orë gjumë”.







