Përveç ofrimit të një programi të pasur edukativ e kulturor, përmes emisioneve të ndryshme të tij, Radio KFOR-i vazhdimisht po sjellë mysafirë të profileve të ndryshme, të cilët janë vlerë e shtuar e shoqërisë sonë, në profesionet të cilave u përkasin.
Të tillë padyshim që janë edhe dy nga personalitetet më të famshme të botës së artit e kulturës shqipfolëse, të cilët na nderuan me pjesëmarrjen e tyre në studion tonë, siç janë, balerini, koreografi, personaliteti televiziv si dhe pjesëmarrësi në disa programe në Shqipëri dhe jashtë saj, e së fundmi fitues i Big Brother Albania Vip, Ilir Shaqiri dhe producenti, showman-i, aktori, komediani dhe së fundmi folësi motivues, Ermal Mamaqi, i cili njëkohësisht ka qenë ndër përkrahësit më të mëdhenj të balerinit.
Në këtë emision shumëngjyrësh, përveç shpalosjes së momenteve më të spikatura të krijimtarisë artistike të tyre, artistët sollën edhe të qeshura dhe momente shumë të këndshme për audiencën e madhe të Radio KFOR-it.
“Kam ëndërruar të jem pjesë e një vizite të tillë dhe të takohem me njerëz që promovojnë paqen, me njerëz që me çdo mesazh, çdo fjalë kontribuojnë në gjendjen shpirtërore të njerëzve. Falënderoj të gjithë që më votuan, për këtë që jam, që keni besuar te unë si njeri”, tha Iliri.
Ndërsa komediani dhe aktori i njohur, Ermal Mamaqi, i cili së fundmi më shumë është përqendruar në aspektin shpirtëror, si ligjërues i mendimit pozitiv, dha këtë mesazh: “Ajo që unë besoj, është se njerëzit duhet të harrojnë gabimet ose dështimet që besojnë se i kanë sjellë në këtë pikë ku janë sot. Gjithçka në jetë vjen si pasojë e mendimeve që na kanë thënë të tjerët. Për rininë që po na dëgjon tani, njerëzit presin që të ndryshojnë, që jeta e tyre të ndryshoj, por ata nuk duan të ndryshojnë, dorëzohen, ndryshojnë për pak dhe presin rezultate për një javë. Unë them që sekreti i ndryshimit të gjërave të mëdha fshihet në ndryshimin e gjërave të vogla”.
Nga intervista e realizuar në studion e Radio KFOR-it, kuptuam që në të ardhmen e afërt, balerini Ilir Shaqiri do të hap një shkollë të baletit edhe në Kosovë.