‘Mënyra e të ushqyerit dhe ushtrimet fizike, shmangin mplakjen e hershme të trupit’, kjo ishte njëra prej këshillave që ka ndarë me dëgjuesit e Radio KFOR-it, instruktorja e fitnesit dhe aerobikut Fitore Gashi Merovci, e cila ishte e ftuar në emisionin e mëngjesit me Merita Gjoni Çibukçiun. Kaloritë e shpenzuara gjatë ushtrimeve fizike duhet të zëvendësohen me ushqim të shëndetshëm, siç është konsumimi i pemëve dhe perimeve, mirëpo në mënynë ditore patjetër duhet shmangur sheqerërat e shumta si dhe lëngjet e gazuara, tha ndër të tjera Gashi Merovci.
“Çelësi për një trup të mirë dhe jetesë të shëndetshme, është ngrënia e mëngjesit. Fillimi i ditës pa konsumimin e mëngjesit, është si ta ndezësh veturën pa çelës. Nuk ka arsyetim që mos t’ia kushtojmë trupit tonë një orë ushtrime në ditë, të paktën katër herë në javë.”
Gashi Merovci, e cila njihet edhe si e bija e bokserit të famshëm Nazif Gashi, shtoi gjithashtu në emisionin ‘Mëngjesi Me Ty’, se fëmijët duhet të dërgohen sa më herët nëpër sportet që atyre iu pëlqejnë në mënyrë që sporti t’ju bëhet shprehi ditore e shëndetshme.