Kosova për herë të parë është bërë nikoqire e “Muajit të Filmit Evropian”, që ka filluar këtë të diel (13.11.22), në Kino Armata në Prishtinë dhe do të zgjasë deri më datën 10 dhjetor, 2022. ‘Filmi Evropian’, u hap me shfaqjen e filmit “Fusha e mëllenjave”, me regji dhe skenar të, Arzana Kraja, për të nderuar veprat dhe punën e saj, në përvjetorin e tretë të vdekjes së hershme.
Sipas njoftimit zyrtarë të Kino Armatës, ‘Muaj i Filmit Evropian’, po mbahet me iniciativë të Akademisë Evropiane të Filmit, ku Kino Armata do të jetë nikoqire e shfaqjes së shumë filmave të regjisorëve të njohur nga vende të ndryshme evropiane, si: seri të filmave frankofon – tre filma francezë, një film i Belgjikës dhe një zviceran, pastaj do të shfaqet edhe një film austriak dhe shumë filma të tjerë. ‘Muaji i Filmit Evropian’ do të përmbyllet me datën 10 dhjetor, 2022, me ceremoninë e 35-të të ndarjes së çmimeve për ‘Filmat Evropian’, që do të mbahet në Reykjavik, të Islandës.