USAID, përmes programit ‘Up to Youth’ (Youth Advisory Board), po vazhdon që të jetë derë e hapur e aftësimit dhe përvetësimit të njohurive të reja, për të rinjtë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Së fundmi, është hapur thirrja për anëtarë të Bordit Këshillëdhënës Rinor, ku ftohen të rinjtë që të bëhen pjesë e një eksperience të paharrueshme. Ish presidentja e Bordit Këshillëdhënës Rinor, znj. Amina Kaja, në një prononcim për Radio KFOR-in, foli për përvojën e saj në programin ‘Up to Youth’ “Në vitin e parë, kemi realizuar shumë projekte që përfshinin aktivitete të ndryshme dhe trajnime, kemi mësuar rreth kampanjave. P.sh. për ndryshimin e sjelljeve për të ndikuar pozitivisht tek njerëzit, aktivitete dhe trajnime për platforma të ndryshme, për softuerë, kemi bërë analiza ku kemi pasur dhe komunikime të shumta me organizata e institucione që dëshirojnë të punojnë me rininë, e shumë e shumë angazhime të tjera. Sa i përket eksperiencës sime, mendoj që ka qenë një prej projekteve më të mira që kam marr pjesë, e gjitha për shkak të ngrohtësisë që krijon shoqëria aty, e mos të flasim edhe për aspektin e trajnimeve nga të cilat unë jam aftësuar dhe sot e kësaj dite unë i mbaj me vete shënimet.”
Ndërkohë, sa përket thirrjes e cila është e hapur deri më 25 nëntor, znj. Kaja, tregoi: “Thirrja është e hapur për të gjithë të rinjtë e të gjitha komuniteteve. Projekti e ka në shënjestër rininë dhe këtë herë thirrja i inkurajon që të marrin pjesë edhe të rinjtë e vendeve rurale. I kemi dy grup mosha, nga mosha 14-18 si dhe 18-25 vjeç, ku së bashku do të krijojmë një bord prej 20 personave. Projekti UP to Youth, punon që të trajnojë gjithë rininë në Kosovë, pa dallime etnie. E këta 20 persona që do të zgjidhen, do të bëhen pjesë e Bordit Këshillëdhënës, që do të punojnë së bashku me ekipin e USAID-it, do të ndihmojnë në çdo hap të procesit të planifikimeve dhe të aktiviteteve dhe të punës me rininë.”
Siç na tregoi znj. Kaja, aplikuesit jo domosdoshmërish duhet që te kenë eksperiencë, mjafton që të kenë dëshirë dhe vullnet që të jenë zëri i të rinjve të Kosovës, për të aplikuar për anëtarë të Bordit Këshillëdhënës Rinor të projektit ‘Up to Youth’. Ndryshe, Up to Youth është aktivitetet pesë vjeçar i USAID-it, i përkushtuar që të përmirësojë kapacitetet e rinisë dhe të krijojë mundësi për aspiratat e rinisë, në mënyrë që ata të kontribuojnë dhe të përfitojnë nga komunitete më të qëndrueshme, më demokratike dhe më prosperuake.
Aplikimi do të jetë i hapur deri me 25 nëntor, ndërsa të interesuarit mund të vizitojnë faqen në vegëzën e mëposhtme: https://www.youthlead.org/events/call-young-changemakers-kosovo-apply-youth-advisory-board-usaids-youth-activity-deadline-november-25th-2022?fbclid=IwAR0Wt25Z-_GkgvAYj1mBBSwU79kiM4xFgxc5cwiqXD-656XNnyTex8vu7Es