Frutat janë ushqimet magjike natyrale që duhet të përfshihen në dietën e secilit njeri, për të pasur një jetë të shëndetshme dhe për të mënjanuar problemet shëndetësore. Përfitimet shëndetësore që sjellin frutat janë të shumëfishta. Përveç vetive të shumta që përmbajnë, frutat janë edhe ëmbëlsues natyral që mund të zëvendësojnë marrjen e sheqerit natyral nga produkte të tjera.
Rreth vlerave ushqyese dhe rëndësisë së konsumimit të frutave çdo ditë, në një intervistë për Radio KFOR-in ka folur nutricionistja, Dafina Demolli: “Frutat luajnë një rol të rëndësishëm në shëndetin tonë. Së pari frutat na sigurojnë sasinë e vitaminave që na nevojiten dhe disa lloje të mineraleve. Nga frutat me ngjyrë të kuqe marrim vitaminën A dhe Beta Karoten, të cilat quhen edhe frutat e zemrës. Ndërsa, frutat me ngjyrë të gjelbër kanë vitaminën C dhe frutat me ngjyrë të vjollcë, na sigurojnë anti-oksidantë që njihen si fruta që zgjasin jetën.”
Znj. Demolli, këshilloi të gjithë që të pastrojnë frutat para përdorimit, me sodë bikarboni për t’i larguar pesticidet që mund të jenë në fruta. Sigurisht që frutat dhe të gjitha ushqimet e shëndetshme duhet kombinuar me aktivitete fizike, për të gëzuar shëndet të plotë.