Festivali Ndërkombëtar i Filmit, i dyti me radhë, ‘Art Without Limit’ edhe këtë vit fokusohet në mirëqenien e personave me aftësi të kufizuara. Nga një shumëllojshmëri prej 327 aplikimesh ndërkombëtare, 48 filmat më të mirë të metrazhit të shkurtër, do të shfaqen gjatë tre ditëve të festivalit, filma këta të përzgjedhur nga vende të ndryshme ballkanike si dhe nga shume vende të botës, si Britania e Madhe, Australia, India, Kanadaja, SHBA, etj.
Lidhur me këtë festival, Radio KFOR-i kontaktoi drejtorin artistik, regjisorin Burim Haliti, i cili theksoi: “Të gjithë filmat të cilët do të shfaqen gjatë festivalit, do të kenë mesazhe pozitive dhe tregojnë për të arriturat e personave me aftësi të kufizuar. Kështu që, me vetëbesim dhe punë, çdo njeri mund të arrijë shumë! Prandaj, i ftojmë të gjithë, që të vijnë dhe të përcjellin festivalin, i cili fillon sot, nga ora 11:00.”
Festivali Ndërkombëtar i Filmit ‘Art Without Limit’, realizohet nga 1 deri më 3 dhjetor, në Kino Armata, në Prishtinë, ndërsa për informacione shtesë rreth tij, të interesuarit mund të vizitojnë faqen zyrtare të festivalit: https://sq.awl-filmfestival.com.