Sot (01 dhjetor) është ‘Dita Ndërkombëtare e Luftës Kundër Sidës’, e cila festohet që nga viti 1988, atëherë kur ministrat e shëndetësisë nga i gjithë globi u mblodhën për të diskutuar mbi Sidën, me ç’rast u folë lidhur me tolerancën, shkëmbimin e hapur të informacionit dhe përvojën në luftën kundër tij.
Se ku qëndron Kosova në raport me këtë sëmundje, Radio KFOR-i realizoi një intervistë me infektologun, Dr. Ilir Tolaj, i cili mes tjerash nënvizoi:
“ Sa i përket numrit të përgjithshëm të rasteve me HIV/AIDS, jemi në një situatë shumë më të mirë se sa të gjitha vendet fqinje dhe ato të rajonit. Numri i rasteve të reja në vit është i kufizuar dhe nuk e kalon shifrën 10, gjë që është jashtëzakonisht e ulët. Këtë vit në Kosovë janë regjistruar 8 raste të reja, ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve me HIV/AIDS, që nga rasti i parë në vitin 1986, e deri më tani nuk e kalon shifrën 120’’, theksoi Dr. Tolaj.
Rreth 34 milion njerëz në botë janë të prekur nga kjo sëmundje, e cila konsiderohet si sëmundja e shekullit. Sipas burimeve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, rezulton se në harkun kohor mes viteve 1981-2007 nga ky virus vdekjeprurës kanë vdekur rreth 25 milion njerëz. Këto statistika të frikshme e klasifikojnë Sidën si një nga sëmundjet më të rrezikshme dhe më masive në historinë e njerëzimit.