Të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, vazhdojnë të përfitojnë nga donacionet e shumta të KFOR-it edhe në kohë pandemie, me qëllim të tejkalimit të kësaj situate, e cila ka ndikuar edhe në mirëqenien e qytetarëve. Donacioni i fundit, i realizuar nga KFOR-i, sot (1 dhjetor), njëherit CIMIC-u (Bashkëpunimi Civilo-Ushtarak i KFOR-it), dhuruan pajisje mbrojtëse ndaj Covid-19 si dhe materiale kirurgjike, me një vlerë mbi 8 mijë euro, me qëllim të ndihmës për personelin mjekësor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Pejë.
Në ceremoninë e dhurimit të donacionit, në emër të KFOR-it, foli Komandanti i Komandës Rajonale-Perëndim, i cili për Radio KFOR-in, tha: “KFOR-i përkrah të gjitha komunitetet në Kosovë. Sot, ne jemi këtu për të përkrahur Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ku këto materiale të dhuruara do ta ndihmojnë shumë stafin mjekësor për tu përballur me Covid-19. Me këtë rast jap edhe një mesazh për të gjithë që të mbajnë maskat dhe t’i respektojnë masat anti-covid.”
Falë këtij donacioni, do të përfitojnë gjithsej 22 Qendra të Mjekësisë Familjare dhe do të përmirësohen kushtet e tyre të punës. Pas pranimit të donacionit, Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Pejë, Dr. Myrvete Salihi, u shpreh shumë mirënjohëse ndaj KFOR-it dhe tha: ”Është një donacion që na hyn në punë gjatë kësaj kohe të pandemisë, ngase materiali shpenzues prej punës së tepërt që kemi, nëpër qendrat e mjekësisë familjare, gjithnjë jemi në kërkim të tij, qoftë dezinfektues, qoftë maska mbrojtëse, siç është edhe veshja anti-covid në përgjithësi. E falënderoj shumë KFOR-in për bashkëpunim që e kemi, do të thotë se ata janë përgjigjur në secilën situatë që ne kemi pasur nevojë.”
Përveç sigurimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, KFOR-i po kontribuon edhe me donacione, si masë parandaluese dhe mbrojtëse kundër përhapjes së virusit COVID-19.