Sot, më 1 mars, duke filluar nga ora 10:00, në “Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit”, Filharmonia e Kosovës do të mbajë koncertin e dytë në serinë e koncerteve në shënim të 20 vjetorit të themelimit.
Në një njoftim për media është bërë e ditur se koncertin e sotëm, Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës do ta drejtojë dirigjenti polak, Dariusz Mikulski. Ai rikthehet për të dytën herë për ta drejtuar orkestrën, i shoqëruar nga trumbetisti eminent gjerman, Otto Sauter. Kastës së solistëve për këtë koncert i janë bashkuar edhe trombonisti, Armin Bachmann, violinisti, Davide Alogna dhe mexosopranoja, Aleksandra Gudzio.
Në program është e paraparë që të interpretohen vepra nga Mozart, Handel, Rossini, Gorecki, Killar si dhe premiera e “Koncertit për pikolo trumbetë dhe violinë”, e kompozitorit gjerman, Enjott Schneider.
Biletat për këtë koncert janë gratis, ndërsa një person mund të marrë vetëm dy bileta.