Grupi ‘Marakli t’Biciklave’ do të organizojë këtë të diel, më 1 mars, eventin e parë për sezonin 2020, nga Prishtina drejt Pishave në Sllatinë.
Takimi dhe nisja pritet të bëhet nga ora 10:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku terreni do të jetë kryesisht i lehtë dhe me një gjatësi totale prej 35 kilometra. Radio KFOR-i ka kontaktuar kryetarin e grupit “Marakli t’Biciklave’, Berat Rakovicën, i cili tha: “Ky aktivitet është një nga aktivitetet e para për këtë vit. Si grup ne ekzistojmë që dy vite dhe vazhdimisht, sidomos verës, çdo vikend kemi organizuar aktivitete me bicikletë nëpër periferi të Prishtinës. Kemi vendos me fillu këtë vit prej të dielës, nga 1 marsi dhe nisja do të bëhet te Sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, e pastaj kemi me vazhdu përmes Fushë Kosovës dhe do të kalojmë nga disa fshatëra atje që me iu shmang paksa automjeteve, meqë nuk jemi të sigurt në rrugë dhe kështu do të dalim deri tek Pishat në Sllatinë. Për me qenë pjesë e këtij eventi, së pari duhet me qenë biciklist, me pas bicikletë, mundet me qenë ajo edhe ‘road bike’ pasi rruga është e asfaltuar. Si kusht e kemi vendosur që të kenë helmeta. Unë ju bëj thirrje që të na bashkohen të gjithë biciklistët që kanë dëshirë, meqë edhe rruga nuk është shumë e gjatë, 15 kilometra në një drejtim.”
Sipas organizatorëve, preferohet që pjesëmarrësit të kenë me vete: çantë, ujë, ushqime, gomë rezervë si dhe mjete për riparime të biçikletës.