Fluturimi i parë në orbitën e Tokës, u realizua më 12 prill, të vitit 1961, për vetëm 108 minuta, nga Yuri Gagarin, me anijen kozmike “Vostok 1” dhe për këtë arsye, OKB-ja vendosi që 12 prilli, të festohet si “Ditë Ndërkombëtare e Fluturimit të Njeriut në Hapësirë”.
Ishte viti 2011 kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e vendosi këtë ditë, duke riafirmuar kontributin e rëndësishëm të shkencës dhe teknologjisë hapësinore, në arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm, synimeve dhe rritjeve të mirëqenies së shteteve dhe popujve si dhe sigurimit dhe realizimit të aspiratës për të ruajtur hapësirën e jashtme, për qëllime paqësore.
Organizatat hapësinore në mbarë botën, e shënojnë “Ditën Ndërkombëtare të Fluturimit të Njeriut në Hapësirë”, duke organizuar aktivitete dhe konferenca për të rikujtuar fluturimet njerëzore në hapësirë.