Festivali Ndërkombëtar i Filmit ‘PriFest 2020’, do të mbahet nga data 14 korrik deri më 19 korrik, duke shënuar kështu edicionin e 12-të të tij.
Radio KFOR-i ka kontaktuar drejtoreshën e këtij Festivali, Vjosa Berisha, e cila tha se këtë vit, ‘PriFEST’ do të jetë më ndryshe: “Pas mbylljes tre mujore kemi marrë vendim që të organizohemi, të mbajmë Festivalin, sepse mendojmë që është i rëndësishëm për publikun dhe është e rëndësishme që të vazhdojnë aktivitetet kulturore, por me një kujdes shumë më të madh. Ajo që do të jetë më ndryshe është se do të ketë më pak mysafirë të huaj, ekspertë të industrisë së filmit, të cilët i kemi pasur gjithmonë në fokus, mirëpo filmat patjetër që do të shfaqen për audiencën. Filmat do t’i shfaqim pa pagesë, si dhuratë për tejkalimin e kësaj pandemie. Do të marrim masat e duhura rekomanduese, që të respektohet distanca mes pjesëmarrësve. Ndërsa, pjesa e forumeve e workshop-ëve do të mbahet online, sepse ka të bëjë me shumë ekspertë të huaj”.
Tutje, Znj. Berisha, përmes Radio KFOR-it u bëri thirrje qytetarëve nga të gjitha etnitë në Kosovë, që të marrin pjesë në këtë Festival: “I ftojmë të gjithë të interesuarit që të vijnë të shohin këta filma dhe të shijojnë Festivalin, sepse filmat janë atraktivë, nuk gjinden zakonisht në kinema, por janë filma që udhëtojnë nëpër festivale. Po ashtu ‘PriFEST’, programin kryesor e ka me filma të Ballkanit, ku sjellim filma nga Bosnja, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria”.