“T’i festojmë ngjashmëritë tona”, kjo është motoja e edicionit të dytë të Festivalit Multikulturor, që organizohet nga organizata joqeveritare Voice of Roma, Ashkali and Egyptians in Kosovo (VoRAE). Festivali që do të mbahet nga data 16 nëntor, deri më 20 nëntor 2020, ngërthen në vete një sërë aktivitetesh që do të bëjë bashkë të gjitha komunitetet në Kosovë. Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me zyrtaren për media dhe komunikim në VoRAE, zonja Kiki Rrahmani, e cila na shpalosi detaje të festivalit: “Ideja Festivalit Multikulturor, është prezantimi i identiteteve të veçanta të tri komuniteteve: komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, ndërsa motoja “T’i festojmë ngjashmëritë tona”, ka të bëjë me ngjashmëritë si të komunitetit shumicë ashtu edhe të komuniteteve pakicë. Pra të festojmë ngjashmëritë që kemi si qytetarë të këtij vendi, sepse realisht ne të gjithë pa dallim kemi ngjashmëri si në doke, zakone, kulturë, muzikë ashtu edhe në artin që na përfshinë. Prandaj, esenca është që përmes një konotacionit pozitiv që ne dëshirojmë t’i japim këtij festivali, të luftojmë paragjykimet, tabutë dhe barrierat.”
Zonja Rrahmani, gjithashtu na tregoi Festivali Multikulturor, ka për qëllim edhe promovimin e rolit të gruas në shoqëri si dhe ofrimin e mundësive të barabarta për të gjithë.
Si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga ‘CoViD 19’, disa prej aktiviteteve nuk do të mund të mbahen fizikisht, mirëpo do të mbahen online. Në kuadër të festivalit, i cili do të ketë një sërë aktivitetesh që do të shtrihen në disa qytete të Kosovës, është edhe Gara e Fotografisë, ku fotografitë dhe pikturat që tashmë janë dërguar brenda afatit të kërkuar nga konkursi i garës, do të ekspozohen në Galerinë e Arteve të Kosovës, ndërsa po ashtu përgjatë festivalit nën moton “Le të lulëzojë barazia/superfuqia jonë është DIVERSITETI,” do të bëhet edhe vizatimi i dy muraleve në Gjakovë e Lipjan, ku janë të mirëpritur anëtarët e të gjitha komuniteteve në Kosovë.