Sa herë që afrohej stina e dimrit, 34 vjeçja me aftësi të kufizuara nga Drenasi, Arlinda Zeneli, kishte vetëm një shqetësim. Ku t’i mbante takimet dhe aktivitetet që planifikoheshin bashkë me anëtarë të tjerë të Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara ‘Handikos’, në Drenas. Kjo pasi ambienti i kësaj Shoqate, për shkak të mungesës së klimave, ishte shumë i ftohtë dhe i papërshtatshëm për të qëndruar.
Por, sot, zonja Arlinda, së bashku me dhjetëra anëtarë të kësaj Shoqate, iu gëzuan donacionit të KFOR-it, nga i cili përfituan tre kondicioner ajri për këtë Qendër, në kuadër të projekteve të Bashkëpunimit Ushtarak Civil (CIMIC), të KFOR-it dhe në një prononcim për Radio KFOR-in, zonja Arlinda Zeneli, u shpreh: “Donacioni i KFOR-it është shumë i mirëpritur nga ne, sidomos për përdoruesit e karrocave, sepse verës këtu ishte nxehtë, ndërsa dimrit ftohtë, e kemi pasur problem për takime. Ky donacion është i mirëseardhur, ju falënderojmë shumë. Një lehtësim shumë i madh për neve”, thotë Arlinda.
I lumtur për kontributin e KFOR-it në përmirësimin e kushteve të kësaj Shoqate dhe gjithë anëtarëve të saj në Drenas, u shpreh edhe Zëvendëskomandanti i Komandës Rajonale-Lindje, Koloneli, Noel Hoback, i cili pati edhe një porosi për të gjithë të rinjtë në Kosovë: “Sot jemi te Shoqata Handikos, për të dhuruar këtë sistem të kondicionerëve të ajrit që do t’i ndihmojë ata që të mirëmbajnë temperaturën adekuate dhe kështu të vazhdojnë me edukimin e fëmijëve dhe të rriturve. Një nga arsyet pse ky donacion është i rëndësishëm, është sepse këta njerëzit punojnë me pjesën më të ndejshme të popullatës, qofshin fëmijë apo të rritur me aftësi të kufizuara. Ne e vlerësojmë shumë punën e tyre dhe bashkëpunimin që KFOR-i ka me këtë Shoqatë, e po ashtu me institucionet e Kosovës. Të rinjtë janë e ardhmja e Kosovës, andaj është e rëndësishme që t’i ndihmojmë ata në mënyrë që të bëhen vlerë e çmueshme e popullsisë në Kosovë.”
Jashtëzakonisht falënderues për këtë donacion të KFOR-it u shpreh edhe drejtori i Shoqatës, Behxhet Binaku, i cili bëri të ditur se aktualisht janë 36 fëmijë që marrin shërbime në baza ditore në këtë Shoqatë dhe shtoi: “Ky është një donacion dhe një dhuratë shumë e çmueshme, sepse neve na jep mundësi që komplet objekti me qenë i ngrohtë, me ju ofru shërbime dhe standarde të mira ditore, të gjithë fëmijëve që janë përfitues të shërbimeve tona, por edhe të rriturve që marrin shërbime ditore. Aktualisht, përfitues direkt janë fëmijët prej moshës 1 deri në 18 vjeç, që marrin shërbime të edukimit joformal dhe terapisë primare fizikale dhe janë personat me aftësi të kufizuara, mbi moshën 18 vjeç, që marrin shërbime të rehabilitimit. Kjo na jep mundësinë që të rrisim dinamikën e punës tonë, të kemi numër më të madh të fëmijëve në këto kohë të dimrit dhe të ofrojmë shërbime cilësore. Kjo është një nga dhuratat më të mira, që nga ndërtimi i këtij objekti, para 20 viteve.”
Falë këtij donacioni nga KFOR-i, kjo shoqate do të ofroj shërbime më cilësore, të gjithë fëmijëve dhe të rriturve, që janë pjesë e kësaj Shoqate.