Qyteti i Pejës edhe këtë vit mirëpret festivalin e njohur të animacionit ‘Anibar’, duke filluar nga data 13 deri më 19 korrik, 2022. Edicioni i 13-të me radhë, që organizohet këtë vit, mirëpret filma të animuar nga shumë vende të botës dhe aktivitete të tjera në kuadër të këtij edicioni.
Rreth programit të këtij viti dhe risitë që sjellë ky edicion, Radio KFOR-i, zhvilloi një intervistë me koordinatoren për media dhe komunikim në ‘Anibar’, znj. Rina Statovci, e cila tha: “Temë e këtij edicioni do të jenë besëtytnitë dhe arsyeja që e kemi përzgjedhur këtë temë, është sepse është edicioni i 13-të dhe numri 13, konsiderohet në shumë kultura por edhe në kulturën tonë, si numër pa fat. Prandaj, do të bisedojmë edhe për besëtytni të ndryshme. Në këtë edicion do të shfaqen më shumë se 600 filma dhe do të kemi 7 kategori garuese si dhe kemi filma nga gjithë bota, duke filluar nga SHBA, Franca, Japonia, por edhe dy filma nga Kosova.”
Nga znj. Statovci, mësuam se edhe në këtë edicion përveç shfaqjes së filmave do të ketë edhe prezantime nga animatorë të rangut botërorë dhe do të organizohen 4 punëtori dhe panele diskutimi. Po ashtu, në kuadër të festivalit ‘Anibar’, do të organizohen edhe ‘Netët Muzikore’, me artistë vendorë.