Drejtori i “Anibarit” si dhe njëherit menaxher i Kinema “Jusuf Gërvalla”, Vullnet Sanaja ishte sot (29.01.20), mysafir në emisionin “Machiato Lounge”, te moderatorja, Trëndelina Duli, për të biseduar rreth Festivalit “Anibar” si dhe për të treguar për projektet e shumta që realizohen në Kinema ‘Jusuf Gërvalla”, në Pejë. Vullneti filloi emisionin me Festivalin “Anibar”, ku tregoi se interesimi i të rinjve për këtë festival është rritur: “Deri më tani ka mbi 1000 aplikime për të qenë pjesë e Festivalit. Këtë vit është rritur numri i të interesuarve falë Akademisë së Animacionit i cili ka filluar në Pejë e tani është edhe në Prishtinë”, tha Vullneti si dhe tregoi se të interesuarit dhe të gjithë ata që e kanë pasion filmin e animuar, mund t’i dërgojnë filmat e tyre deri më 31 mars 2020. Përgjatë emisionit, Vullneti tregoi edhe për sukseset e Kinemasë “Jusuf Gervalla”, në Pejë: “Kemi një numër të madh të punëtorive të animacionit për të rinj, pastaj, duke ofruar biseda rreth temave të ndryshme, si: për ndryshimet klimatike, për të drejtat e njeriut, për punësimin e të rinjve, tema për adoleshent etj. Poashtu, kemi edhe klubin e filmit dhe të leximit.”
Fare në fund, Vullneti tregoi se edhe në të ardhmen do të punohet në përkrahjen e të rinjve të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, duke i’u ofruar mundësi të shprehjes së talentit të tyre si dhe të shoqërohen me njëri –tjetrin.