‘Nëse mund të ëndërrosh, ti mund edhe ta jetësosh atë’, kjo do të ishte njëra nga frazat inkurajuese për ata që botës sonë i japin kuptim, ata që edhe ditëve më të zymta i japin shkëlqimin më rrëzëllues. Janë pikërisht fëmijët, të cilët sot (01.06.23), festojnë Ditën Ndërkombëtare të tyre.
Kjo ditë ka për qëllim të vlerësoj fëmijët dhe të na kujtoj që të kalojmë sa më shumë kohë me ta, për t’ju folur e për ti dëgjuar, për t’i lavdëruar dhe për të inkurajuar pasionet e tyre, e po ashtu, për të treguar dashurinë e madhe që e ndjejmë ndaj tyre. ‘Dita e Fëmijëve’ është gjithashtu një mundësi e mirë për të promovuar rëndësinë e një fëmijërie të shëndetshme dhe të sigurt, në përgjithësi. Mbrojtja e të drejtave dhe lirive të fëmijëve, është thelbësore për t’i lejuar ata të rriten sa më të shëndetshëm e të lumtur.
Përveçse një ditë festive, 1 Qershori duhet të jetë edhe një ditë vetëdijesimi për të ndalur dhunën dhe abuzimin ndaj fëmijëve, sidomos angazhimin e tyre në punë të rënda fizike, duke qenë ende të mitur.
Në këtë ditë, fëmijët bëhen qendra e vëmendjes në mbarë botën dhe shumë aktivitete u kushtohen vetëm atyre.