Në kuadër të kampanjës #hikingk4, sot në programin “Mëngjesi Me Ty”, në Radio KFOR, ka qenë i ftuar Kryetari i shoqatës së Klubit Alpin Prishtina, z. Nazmi Hasanramaj, i cili na njoftoi për aktivitetet e shumta të klubit në fjalë, të cilat do të zhvillohen në Kosovë, rajon e më gjerë: “Klubi Alpin Prishtina (KAP), funksionon në bazë të sektorëve të cilët janë të ndarë, ku secili sektor e ka një udhëheqës të cilët janë edhe pjesë e bordit dhe kemi shumë aktivitete. Ditën e nesërme (21 maj), jemi duke e organizuar Kampin e Fëmijëve. Këto kampe janë gjithëpërfshirëse, pra pjesëmarrës në këto kampe janë të gjithë fëmijët e Kosovës, të moshave të ndryshme, janë fëmijët shqiptarë, serbë, fëmijë nga komuniteti RAE dhe komuniteteve të tjera. Theksi i këtyre kampeve qëndron në edukimin në natyrë –“Outdoor Education” dhe gjithmonë kemi rezultate të mira, gjithmonë kemi përkrahje nga prindërit, pavarësisht etnitetit, ne gjithmonë gjejmë mirëkuptim dhe na vjen mirë që të gjithë ata fëmijë që kanë qenë dhe janë pjesë e kampeve tona, e që janë me mijëra fëmijë, sot kanë miq dhe komunikojnë vazhdimisht, pavarësisht prejardhjes së tyre etnike.”
Z.Hasanramaj ka shpalosur edhe shumë aktivitete të tjera që KAP, do të realizojë përfshirë këtu turne me biçikleta, pastaj hiking në Kosovë, rajon e më gjerë. Në datat 24-25-26 qershor, Klubi Alpin Prishtina ka ftuar të gjithë që t’i bashkohen ekspeditës e cila do të mbahet në Vargmalet e Pirinit, në pjesën jugperëndimore të Bullgarisë.