Pas një edicioni fantastik në Ligën e Parë, F.C. Ferizaj ka arritur që të rikthehet në elitën e futbollit kosovar. Nën drejtimin e Arbnor Morinës, skuadra e njohur kosovare pritet që të mos jetë kafshatë e lehtë as për ekipet e Superligës së Kosovës.
Në kuadër të emisionit sportiv EuroGol, këtë vikend Radio KFOR-i ka realizuar një intervistë me trajnerin e skuadrës F.C. Ferizaj, Z. Arbnor Morina, i cili foli për fazën përgatitore të ekipit që ai drejton: “F.C. Ferizaj është rikthyer aty ku ka qenë vite përpara, në Superligën e Kosovës, mirëpo ka qenë një periudhë shumë e vështirë deri sa është inkuadruar në Superligë. Vitin e kaluar e kemi përfunduar kampionatin në mënyrën ma të mirë. Synimet e klubit janë që ekipi me u stabilizu dhe me u ambientu në mënyrën më të mirë në Superligë, sepse jemi të vetëdijshëm që është një nivel më i lartë i organizimit. Kemi qenë në Maqedoninë e Veriut në fazën përgatitore, ku kemi pasur mundësi me i testu futbollistët me disa ndeshje miqësore, gjithashtu që futbollistët të socializohen më shumë me njëri tjetrin, që pastaj me e pas qasjen më të lehtë në kampionat.”
Ferizaj do e fillojë edicionin e ri me një test mjaft të vështirë, pasi që në udhëtim do të luaj ndaj Gjilanit.