Pothuajse të gjithë duan të kursejnë në faturat e tyre mujore të energjisë elektrike, por jo të gjithë ia dalin në këtë aspekt, posaçërisht gjatë stinës së dimrit, kur kemi nevojë të ngrohemi dhe të shfrytëzojmë pajisjet e domosdoshme për jetesë. Por, ekzistojnë disa mënyra të kursimit të energjisë edhe gjatë përgatitjes së ushqimit, të cilat për dëgjuesit e Radio KFOR-it, i ndau gastronomi, z. Kreshnik Topalli: “Një mënyrë që mund të mos e kishit menduar, është të kurseni energji gjatë gatimit dhe përgatitjes së vakteve në shtëpi. Kjo jo vetëm që do të bëjë një ndryshim të madh me kalimin e kohës, por do t’ju kursejë mjaft para. Është shumë e rëndësishme të kuptoni zakonet tuaja të gatimit dhe të kuptoni se pajisjet e kuzhinës me efikasitet energjie, mund të mos ndihmojnë shumë nëse nuk dini si t’i përdorni ato siç duhet.”
Siç mësuam nga z. Kreshniku, një mënyrë e thjeshtë për të kursyer energji në kuzhinë, është duke larguar nga priza kabllot e pajisjeve elektrike kur ato nuk i përdorni, siç janë furra elektrike, tharësja, lavatriçja, mikrovala etj., sepse lënia e tyre në gatishmëri, konsumon energji elektrike të panevojshme.