Gërshetimi i dijes dhe zhvillimi i aftësive në teknologji, është qëllim i “Javës së Edukimit të Shkencave Kompjuterike”, që këtë vit 2023, zhvillohet ndërmjet datave 6 -12 dhjetor, 2023. Edukimi në fushën e shkencave kompjuterike, ka një rol kyç në përgatitjen e të rinjve për një botë gjithnjë e më të digjitalizuar. Studimi i shkencave kompjuterike, ofron një njohje të thellë të bazave të teknologjisë informative, e kjo javë është ideale për t’u thelluar në zhvillimin e aftësive edhe të programimit. Përmes gjuhëve të programimit, si Python, Java, apo C++, të rinjtë mund të zhvillojnë aftësitë e tyre të programimit duke iu përshtatur edhe tregut të punës, i cili çdo ditë e më shumë po kërkon profesionistë të teknologjisë.
Prandaj, edukimi në këtë fushë hap dyert për karrierë në fusha të ndryshme, duke përfshirë programim, sigurinë informative, zhvillim softueri, etj. Duke zhvilluar njohuritë tona në teknologji, ne kontribuojmë në këtë fushë, ku studimi dhe zhvillimi i së cilës i sjell të mira shoqërive, qoftë duke krijuar aplikacione të nevojshme për njerëzimin apo duke sjell mundësi inovative në shumë fusha. “Java e Edukimit të Shkencave Kompjuterike” ka për qëllim që të nxisë krijimtarinë në zhvillim teknologjik, atë që sjell mundësi të shumta për probleme të përditshmërisë.