Vrapimi nuk është vetëm një ushtrim i shkëlqyeshëm fizik, por gjithashtu ka përfitime të rëndësishme për mirëqenien e shëndetit mendor. Prandaj, duke ditur përfitimet e vrapimit ‘Prishtina Trails’, vazhdon tutje me edicionin e pestë, i cili mbahet me datat 10 dhe 11 qershor, 2023.
Këtë vit gara organizohet në tri disiplina, në 10 km, në 25 km si dhe në 47 km, ndërsa pikënisja e këtyre vrapimeve do të jetë Parku i Gërmisë, saktësisht Amfiteatri i Gërmisë, ku shtigjet për secilën prej distancave do të jenë të shënuara me shirita dallues si dhe udhëzues të tjerë.
Starti për disiplinën 47 km, do të filloj në ora 07:00, për disiplinën 25 km fillon në ora 10:00, kurse për 10 kilometër do të filloj në ora 11:00. Organizatorët ftojnë pjesëmarrësit që të paraqiten së paku gjysmë ore më herët se koha e startit, për të pranuar numrat e obligueshëm.
Në fund, secili vrapues që përmbyll garën me sukses do të dekorohet me një medalje nga ‘Prishtina Trails’.