KFOR-i po vazhdon që të realizojë projekte të shumta, të cilat kanë në thelb mirëqenien e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Më 15 Janar 2020, ushtarë të nacionaliteve të ndryshme që veprojnë në kuadër të Misionit të KFOR-it, qëndruan në Fshatin Studime e Epërme, në Komunën e Vushtrrisë. Në shkollën e këtij fshati u inauguruan tualetet e reja, të dhuruara nga KFOR-i, për paralelen e Shkollës Fillore “Ali Kelmendi”.
“Ne jemi sot këtu, për dhurimin e tualeteve të reja për këtë shkollë. Ekipit Monitorues i Ndërlidhjes-K3 për këtë zonë, ka parë që fëmijët dhe ekipi i kësaj shkollë kanë nevojë për tualete të reja, prandaj ekipi K3 ka punuar për këtë projekt të CIMIC-ut dhe ne e kemi parashtruar këtë kërkesë tek Komandanti i KFOR-it, gjë që u miratua, prandaj ne sot jemi këtu”, tha për Radio KFOR-in shefi i Ekipit Monitorues të Ndërlidhjes(LMT), Mark Reed.
Lideri i Ekipit të KFOR-it në kuadër të LMT-së K3, Franca Godisnjik, tregoi se ky projekt është edhe një dëshmi për punën e vazhdueshme që po bën KFOR-i për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe shtoi: “Ky projekt është shumë i rëndësishëm për KFOR-in, pasi tregon që KFOR-i në mënyrë të paanshme po kontribuon në mirëqenien e të gjithë qytetarëve. Ky projekt është gjithashtu shumë i rëndësishëm për fëmijët këtu, pasi ata do të jenë në gjendje të edukohen në kushte më të mira.”
Drejtori i kësaj shkolle fillore, Milazim Hyseni, falenderoi KFOR-in që në vazhdimësi po kontribuon në përmirësimin e kushteve në këtë shkollë: “Së pari jemi falënderues ndaj KFOR-it sepse ka intervenuar këtu në Studime të Epërme, ku edhe na e ka sjellur kontenjerin për tualete, që për ne është një ndihmesë shumë e madhe sidomos për fëmijët, pasi deri më tani tualetet kanë qenë në kushte jo të mira higjenike, gjë që ka mundur të shkaktojë ndonjë epidemi. Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me KFOR-in, sidomos me KFOR-in slloven, të cilët thuajse çdo javë janë në vitzitë tek ne. Ne i kemi shprehë brengat tona dhe në bazë të tyre ka reaguar edhe KFOR-i, i cili na ka ndihmuar.”
Më mirënjohësit për këtë donacion padyshim që ishin fëmijët, të cilët nuk arritën dot ta fshehin gëzimin e tyre: “Unë quhem Venita Rrahmani. E falënderojmë KFOR-in për tualetet e reja sepse në tualetet e vjetra nuk i kemi pasur kushtet e mira.” “Unë quhem Ensar Gërguri. E falënderoj shumë KFOR-in për ndërtimin e tualeteve të reja se në tualetin e vjetër nuk i kemi pasur kushtet ashtu si do i kemi në të rejat.”
Javë më parë edhe Kontigjenti Danez i KFOR-it dhuroi xhaketa të dimrit për nxënësit e kësaj shkolle.
KFOR-i po vazhdon të dëshmoj që ndodhet në Kosovë për të qenë sa më afër të të gjithë njerëzve, pa dallim etnie apo religjioni, të përkushtuar në krijimin e një ambienti më të sigurt dhe më të mirë për të gjithë.