Dëshira për të kontribuuar në komunitet dhe nevoja personale për të gjetur më lehtë e shpejtë doktor, ka bërë që Vildan Bina të zhvillojë dhe të sjellë në treg aplikacionin “Doktorim”. Z.Bina i cili ka studiuar për Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, dhe njëherit është kryeshef ekzekutiv i kompanisë “Sidora”, në një intervistë për Radio KFOR-in thotë që përvoja personale e tij ka ndikuar në krijimin e aplikacionit “Doktorim”: “Si student, kur kam ardhur në Prishtinë, e kam pasur problem të gjej doktor, kur kisha ndonjë problem shëndetësor. E kam parë si shumë të nevojshme që në tregun e Kosovës me qenë funksional dhe ekzistues një produkt i tillë, prandaj edhe më ka lindur ideja dhe kam filluar ta zhvilloj aplikacioni. Pra, aplikacioni ka lindur si nevojë personale”.
Apliakcioni “Doktorim”, i cili është falas, ka një javë që është lansuar dhe veç tjerash lejon vlerësimin e pacientit për secilin doktor. Siç na njoftoi z. Bina, aplikacioni, aktualisht, është në fazën e grumbullimit të të dhënave, plotësimit me doktorë të të gjitha fushave.
Për informata shtesë, vizitoni faqen: www.doktorim.com.