“Shembulli më i mirë i bashkëpunimit, është kur kemi një grup të njerëzve me origjinë të ndryshme, që punojnë së bashku për një qëllim të përbashkët”, kështu ka thënë Nelson Mandela dhe vetëm duke bashkëpunuar me një tjetrin, ne mund të bëjmë gjëra të bukura për komunitetin.
E një shembull që duhet ndjekur është edhe gazetarja dhe pronarja e pastiçerisë “Ziza Sweets”, Azize Curri-Grabanica, e cila përmes projekteve të shumta, në bashkëpunim me të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Znj. Curri-Grabanica në një prononcim për Radio KFOR-in, tregoi se si ajo ka kontribuuar në komunitet, në forma të ndryshme: “Tash e katër vite, kam qenë e angazhuar në projekte të ndryshme, por ai që vlen të përmendet, është projekti “Up To Youth” i USAID-it, në kuadër të së cilit kam pasur mundësi të kem kontakte me të rinj të komuniteteve të tjera, pasi që gati në 90% të aktiviteteve (trajnimeve, pastaj kampeve të ndryshme) që kemi mbajtur, kanë qenë të pranishëm edhe të rinjtë e komuniteteve të ndryshme. Këto projekte kur qëllim e kanë të bashkojnë të rinjtë e të gjitha komuniteteve, kanë një ndikim shumë të mirë dhe tejet pozitiv, për të gjithë pjesëmarrësit, pasi secili pa dallim, ka diçka të veçantë që mund të tregojë dhe të tjerët të mësojnë.”
Përmes frekuencave të Radio KFOR-it, Azize Curri-Grabanica përçon këtë mesazh: “Secili nga ne, në vetvete jemi njerëz shumë të mirë dhe të dashur, pa marr parasysh se cilit komunitet i takojmë. Mjafton që këtë pjesën pozitive, mos ta mbajmë brenda vetes, por ta shfaqim edhe tek të tjerët, në mënyrë që të kemi një të ardhme shumetnike e të ëmbël për të gjithë.”
Ndërkohë edhe Teodora Petroviq nga Graçanica, është një nga personat që kanë kontribuar në të mirë të shoqërisë dhe në një prononcim për Radio KFOR-in, ajo tha: “Të jetosh në një mjedis shumetnik, mund të kontribuojë në zhvillimin e tolerancës dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet njerëzve apo grupeve të ndryshme etnike. Ky është çelësi për të ndërtuar harmoni në një shoqëri dhe për të reduktuar paragjykimet. Të jetosh me anëtarë të komuniteteve të ndryshme, na ofron një mundësi për të zhvilluar tolerancën. Përmes ndërveprimit të drejtpërdrejtë, njerëzit mund të kapërcejnë paragjykimet dhe stereotipet dhe të ndërtojnë marrëdhënie pozitive”, tha znj. Petroviq.
Secili nga ne mund të jemi shembull në shoqëri dhe rrethin ku jetojmë, duke dhënë kontributin tonë e duke përkrahur dhe ndihmuar njëri-tjetrin, mund të tejkalojmë çdo vështirësi!