‘Rindërtoni më mirë të bashkuar’ (Rebuild better together), kjo është tema me të cilën shënohet sivjet, 3 korriku, “Dita Ndërkombëtare e Kooperativave”. Pandemia e shkaktuar nga CoViD-19, ka sjell shumë dëme në të gjitha sferat e jetës, e të paprekura nuk kanë mbetur as kooperativat.
Për të kuptuar më shumë rreth kësaj dite, Radio KFOR-i ka kontaktuar Drejtoreshën e Kooperativës Bujqësore – Krusha, Fahrije Hoti, e cila tha: “Ashtu sikurse në gjithë botën edhe ne jemi përballur me sfidat që ka sjellë situata pandemike përgjatë 2020-ës. Produktet tona janë ushqimore dhe eksportin nuk kemi arritur me e realizu aq sa është kërkuar. Urojmë që përgjatë këtij viti (2021), t’i tejkalojmë këto sfida. Në masat e rrepta pandemike, kemi mbajtur takime virtuale me njerëzit, mediat etj. Në ndërkohë, sa i përket shënimit të ‘Ditës Ndërkombëtare të Kooperativave’, vlerësoj që është një ditë e veçantë e cila urojmë që të shpërbejë në krijimin e sa më shumë kooperativave në Kosovë, të cilat urojmë të udhëhiqen nga gratë.”
Aleanca Ndërkombëtare e Kooperativave, me rastin e shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Kooperativave”, u ka bërë thirrje të gjitha kooperativave dhe partnerëve që të bëhen së bashku, për të shënuar 3 korrikun e vitit 2021 dhe për të treguar që të bashkuar, mund ta ndërtojmë një të ardhme edhe më të mirë për të gjithë.