Më 15 mars, të vitit 1962, ishte Presidenti i SHBA-së, John F. Kennedy ai i cili formalisht adresoi problemin e të drejtave të konsumatorit në Kongresin e SHBA, duke qenë i pari lider, që e ndërmori këtë nismë dhe sot, ne kremtojmë ‘Ditën Botërore të Konsumatorit’.
Tashmë, lëvizja e konsumatorëve, çdo vit rrit ndërgjegjësimin global për të drejtat e tyre, ndërsa, me Rezolutën 39/248, e cila u miratua me 9 prill, të vitit 1985, Kombet e Bashkuara kanë miratuar Udhëzimin për kujdesin apo mbrojtjen e konsumatorit, derisa Ligji për mbrojtjen e konsumatorëve në Kosovë është miratuar në qershor të vitit 2004, në Kuvendin e Kosovës. Ky ligj përfshin të drejtën e informimit, të sigurisë, të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u dëgjuar. Kjo ditë shënohet edhe në Kosovë nga Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit pranë Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.