Çdo vit, më 20 mars, Kombet e Bashkuara shënojnë ‘Ditën e Gjuhës Frënge’, për të festuar kontributin e saj në kulturën dhe diplomacinë globale. Kjo iniciativë u krijua nga OKB-ja, në vitin 2010, për të promovuar shumëgjuhësinë dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi historinë dhe rëndësinë e gjuhëve.
Frëngjishtja është një nga gjashtë gjuhët zyrtare të OKB-së dhe luan një rol të rëndësishëm në diplomaci, art, shkencë dhe kulturë. Kjo ditë përkon gjithashtu me themelimin e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF), e cila u themelua më 20 mars, të vitit 1970, e cila bashkon mbi 300 milionë folës të frëngjishtes në të gjithë botën.
Për të shënuar këtë ditë, organizohen aktivitete të ndryshme në të gjithë botën, përfshirë leksione kulturore, lexime letrare, shfaqje artistike dhe debate mbi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të gjuhës frënge në një botë gjithnjë e më të globalizuar.
‘Dita e Gjuhës Frënge’ është një kujtesë e rëndësisë së gjuhëve në ndërtimin e urave mes kulturave dhe popujve, duke inkurajuar dialogun dhe mirëkuptimin ndërkombëtar.