Sot shënohet ‘’Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim’’ në mbarë botën. Kjo ditë u shpall në vitin 2001 në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s. Në Deklaratën Universale të UNESCO-s për diversitetin kulturor, thuhet se dinjiteti njerëzor kërkon përhapjen e kulturës dhe edukimit me qëllim të drejtësisë, lirisë dhe paqes. Me atë deklaratë historike, vendet e botës njohën diversitetin kulturor si trashëgiminë e përbashkët të njerëzimit. Qëllimi i shënimit të kësaj dite është të festohet pasuria e kulturave të ndryshme, por edhe rëndësia e dialogut ndërkulturor, i cili duhet të sigurojë paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm.
“Dita Botërore për Diversitetin Kulturor për Dialog dhe Zhvillim” është një rast i mirë për të promovuar kulturën dhe për të theksuar rëndësinë e diversitetit të saj si një agjent përfshirjeje dhe ndryshimi pozitiv, duke promovuar vlerat e diversitetit kulturor, dialogut dhe zhvillimit në të gjithë botën.