Një prej mjeteve të para të transportit në jetën tonë, para se të jemi shoferë veture, kamioni apo edhe autobusi, ne fillimisht mësojmë të pedalojmë biçikletën. Një mjet i lezetshëm transporti, që kemi përfitime të shumta.
Janë të shumtë ata që përdorin biçikletën në përditshmëri, por sot për Radio KFOR-in ka folur dizajneri grafik, z. Milot Orana, i cili tregoi se sa shumë i ka ndihmuar biçikleta në jetën e tij: “Si fëmijë biçikletën e shohim më shumë si argëtim, e pastaj edhe kur rritemi e përdorim vetëm në raste të veçanta, por për fat prej 5 vitesh, për mua ky është mjeti i vetëm i transportit në qytet. Është sfidë paksa terreni i kryeqytetit, sepse gjithashtu në shumë rrugë mungon shiriti për biçiklistë, por për çdo ditë, unë udhëtoj nga shtëpia në punë dhe anasjelltas, vetëm me biçikletë. I vështirë ka qenë vetëm muaji i parë, por tani e kam të nevojshme si aktivitet fizik sepse ndihem më mirë kur pedaloj.”
Duke njohur veçantinë dhe jetëgjatësinë e këtij mjeti, që ka qenë në përdorim për dy shekuj, e gjithashtu për të njohur më mirë përfitimet që na i sjell biçikleta, duke qenë një mjet transporti i thjeshtë, i përballueshëm, i besueshëm, i pastër dhe i përshtatshëm për mjedisin, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e vendosi 3 qershorin, si ‘Ditë Botërore të Biçikletave’.